Julian Deda si anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, përmes një konference të shkurtër për shtyp ka ftuar këtë të dielë, të gjithë të rinjtë e të rejat, studentët e studentet, por edhe miq e përfaqësues të brezit të ri, të cilëve iu drejtua me shprehjen “të majtë e të djathtë, apo edhe pa parti”, të marrin pjesë në protestën e cila do të mbahet ditën e hënë në orën 10, përpara Parlamentit.

Thirrja – siç tha Deda, të cilin shumëkush e njeh si aktor – nuk vjen thjesht nga Partia Demokratike, por nga nevoja e vendit për të ndalur qeverisjen e sotme dhe për të hapur një rrugë të re për vendin. “Kjo thirrje vjen nga padrejtësia e thellë, për shkak të së cilës gjysma e shqiptarëve janë në mjerim, ndërsa anëtarët e qeverisë rezultojnë të jenë më të pasurit në rajon”, vijoi më tej ai.

Duke përmendur pasojat e disa prej reformave dhe operacioneve të dhimbshme, por të nevojshme sipas koalicionit qeverisës, Deda deklaroi se thirrja për bashkim në protestën e së hënës vjen edhe nga padrejtësia që po u bëhet familjarëve apo kryefamiljarëve që po u japin fund jetës, sepse nuk paguajnë dot dritat në këtë dimër të ftohtë, e për të cilët nuk mban kush përgjegjësi. Ashtu sikurse nga fakti se çdo qytetar i këtij vendi, që ka një biznes, pritet ta ketë vendin në burg vetëm për mosdhënien e një kuponi, e gjithashtu sepse arsimi i lartë për të pamundurit është bërë i pamundur pikërisht nga kjo qeveri.

“Ne sot i detyrohemi vendit tonë dhe vetes një reagim serioz për të thënë se, nuk jemi dakord me vëllezërit dhe motrat tona, që – jo për fajin e tyre – nuk shohin më shpresë dhe po marrin rrugët, ku të munden. Ne sot nuk mund të mjaftohemi duke thënë se, këtu nuk ka më shpresë, përkundrazi ne vetë duhet të fillojmë të ndezim dritën e shpresës, së pari duke reaguar ndaj keqqeverisjes. Protesta është i vetmi mjet demokratik, që ne kemi në dispozicion për ta bërë këtë. Prandaj bashkëmoshatarë, ju ftoj nesër në orën 10.00 të mblidhemi në protestë para Parlamentit dhe t’i themi ndal këtij modeli të papranueshëm qeverisjeje”.