Këshilli Bashkiak miratoi strukturën e re të bashkisë së Durrësit, ku me ndarjen e re territoriale, kësaj bashkie i shtohen 387 punonjës nga muaji janari i 2016-s. Aktualisht struktura është 1110 punonjës dhe shkon në 1497 punonjës. Shtesa bëhet me buxhet specifik nga qeveria, bëri të ditur drejtoresha e Departamentit Ekonomik të bashkisë, Drita Alikaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke renditur të gjithë sektorët që do të kenë shtesë të fuqisë punëtore. Arsimi parauniversitar, shkollat, kopshtet, ndërmarrja e Rrugëve Rurale, ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, zjarrfikësit, etj. do të kenë shtesë të fuqisë punëtore, që pritet të miratohet me buxhetin e vitit 2016.

Të djathtët e konsideruan organikën e bashkisë të fryrë për sa i përket numrit të punonjësve, ndërsa përfaqësuesit e LSI-së në Këshill, kërkuan më shumë informacion në lidhje me punonjësit e 5 njësive vendore të ish-komunave dhe bashkive që iu bashkuan bashkisë së madhe të Durrësit, pas 23 Qershorit.

Kreu i bashkisë Vangjush Dako, deklaroi se rritja e punonjësve nuk ka qëllim elektoral. “Një vit më parë ishim në fushatë elektorale, dhe ne nuk morëm punonjës në punë, ashtu sikundër keni bërë ju. Nuk janë punonjësit ata që ta japin votën. Ju bëtë 100 mijë punësime për fushatë elektorale dhe i humbët zgjedhjet”, iu drejtua Dako këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak.  

Më pas, Dako foli edhe për vizionin e bashkisë së madhe. “Vizioni im është që të gjitha shërbimet do t’i kemi në bashkinë e madhe të Durrësit për të gjithë banorët. Ne duam që të gjitha shërbimet t’i kryejnë në Durrës dhe në ish-komunat e bashkitë të lëmë një apo dy inspektorë maksimumi, dhe gjendjen civile. Do t’i përqendrojmë këtu shërbimet”, nënvizoi Dako. 

Projektvendimi u miratua me 30 vota pro e 12 kundër, ndërsa pas miratimit reagoi ish-kreu i bashkisë Arqile Gorea. “Kjo është e paarsyeshme zoti Dako, shkojnë shërbimet te qytetari, e jo qytetari te shërbimi”, tha Gorea.

Ndiqni videon më poshtë:

K.H.