Partia Demokratike ka denoncuar sot kryeministrin Edi Rama se është duke shkelur ligjin, pasi nuk deklaron pikturat që nxjerr jashtë për t’i shitur me etiketën e kryeministrit të Shqipërisë.

Në një dalje nga selia blu, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Grida Duma, tha se ndonëse Kodi Doganor kërkon që këto piktura të deklarohen, Edi Rama e ka përjashtuar veten nga deklarimi.

“Në këto tabela (shih më poshtë) janë të gjithë deklarimet për pikturat që kanë kaluar kufijtë e vendit, dhe ka deklarim edhe kur ato janë kthyer.
Mungojnë pikturat e Edi Ramës. Edhe pse ai e ka kthyer postin kryeministror në një agjenci private ekspozitash me turizmin e tij piktoresk nga Gjermania në Kinë, nga Italia në Stamboll.

Fermeri që nuk tregon kuponin për një kile qepë në burg. Berberi që nuk pret kuponin në burg. Edi shkon e vjen në botë me pikturat e tij kryeministrore pa deklaruar asgjë, pa i hyrë ferrë në këmbë. Ligji nuk ka forcë ndaj tij”, tha Duma.

Më tej, Duma u shpreh se Rama e ka shpallur veten të paprekshëm, ashtu siç bëri edhe me imunitetin që i dha vetes në parlament duke mos lejuar hetimin për vjedhjen e shekullit, aferën CEZ, më të rëndën në historinë e vendit.