Krenar Lasku nga PDIU dhe Sami Gjergji nga FRD, janë dy emrat më të lakuar për nënkryetarë të bashkisë së Durrësit. Burime konfidenciale nga bashkia e qytetit bënë me dije se pas miratimit të strukturës së re të kësaj bashkie, e cila bëhet me katër kryetarë, dy forcat e reja politike në aleancë me PS-në, kanë të drejtën e propozimit të dy nënkryetarëve të bashkisë numër 2 të vendit.
Miratimi i strukturës së re bëhet pas miratimit të buxhetit të vitit 2016, që pritet të bëhet në muajin janar. “Do të presim nga tre kandidatura për këtë post nga 2 partitë që kemi aleate, më pas është e drejtë ekskluzive e kreut të bashkisë Vangjush Dako për të përcaktuar me cilët prej kandidaturave do të bashkëpunojë. Është marrëveshje politike, dhe si e tillë do të respektohet në nivel vendor midis PS-së dhe PDIU-së e FRD-së. Këto dy emra lakohen si propozime finale nga partitë politike”, bëri me dije një burim konfidencial.
Sami Gjergji njihet gjerësisht në Durrës, si ish-deputet i PD-së, por që në 2011-n, doli kundër qeverisë Berisha dhe së bashku me Bamir Topin formuan FRD-në. Më pas, një sërë biznesesh të Sami Gjergjit kanë falimentuar, ndërsa i pozicionuar fort pas FRD-së synon postin e nënkryetarit të bashkisë.
Kandidatura e PDIU-së Krenar Lasku është një biznesmen i njohur në Durrës. Në zgjedhjet e fundit brenda partisë së PDIU-së u zgjodh koordinatori i kësaj force politike.
K.H.