“Kush e solli Doruntinën”, vepra e Ismail Kadaresë, do të vijë me regjinë e Laert Vasilit këtë fundjavë në Durrës, ku do të luajë edhe aktorja e madhe, Margarita Xhepa. Ajo do të luajë rolin e Zonjës Mëmë, që e ka interpretuar edhe në skenën e Teatrit me regjinë e Pirro Manit.

Aktorët e tjerë që do të ngjiten në skenë janë Viktor Zhusti, Bujar Lako, Luli Hoxha, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Eralda Caushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia e Xhejni Fama. Kostumografia është e Stela Laknorit, ndërsa violina që do të shoqërojë shfaqjen është e Ambra Marjanakut.

Shqiptarja.com shkruan se, regjisori Vasili ka kohë që po punon mbi dramatizimin e veprës së Kadaresë, për ta sjellë në teatër nën një koncept të ri regjisorial. Shfaqja do të jetë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 19 dhe 20 dhjetor.