Është ndarë nga jeta ish-Drejtori i Emergjencave të Lushnjes, Robert Shtëmbari, për shkak të një ataku kardiak. 55-vjeçari ndodhej në burgun e Rogozhinës pasi u arrestua më 2 nëntor të këtij viti, pasi akuzohet se merrte nga 100 mijë lekë të reja për çdo punësim në drejtorinë e tij. Akuza ndaj tij është “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”.
Lajmi është mësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila thekson se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40. Mjeku roje i burgut i ka dhënë ndihmën e parë në institucion, më pas i paraburgosuri është nisur për trajtim të specializuar në qendrën shëndetësore Rrogozhine, ku ka mbërritur në orën 16:50. Rreth 20 minuta pas paraqitjes aty, i paraburgosuri ka ndërruar jetë. Po sipas deklaratës zyrtare ky shtetas vuante nga tensioni i lartë, gjë për të cilën trajtohej rregullisht. Vetëm dy dite më parë ai është shoqëruar për një vizitë te mjeku specialist (kardiak).