U plagos për fotot që i kishin nxjerrë të dashurës në Facebook, rrëfehet në gjyq oficeri i SHKB-së, L. Përmarku. Ai iu përgjigj pyetjeve në sallën e gjyqit, ku ishin të pranishëm dhe familjarët e Ermir Skejës, personit të shpallur në kërkim policor, si autor i ngjarjes. Skeja akuzohet se më 27 maj të këtij viti ka plagosur me armë zjarri shtetasit L. Përmarku, oficer i SHKB-së dhe shokun e tij, V. Totraku. Panorama shkruan se, konflikti nisi gushtin e shkuar, kur e dashura i kishte treguar për ngacmimet që i bënte Skeja. “Ky shtetas kishte hapur një faqe profili në rrjetin social ‘Facebook’ në emër të së dashurës, madje e kishte mbushur atë me foto nudo, disa të montuara me fotot e N.C. E dashura ime dy herë ka tentuar të vetëvritet për shkak të kësaj që i kishte bërë Skeja”, ka treguar oficeri.

Në mesin e muajit maj të këtij viti, Përmarku ka kontaktuar me të afërm të Ermir Skejës dhe u është lutur që ai ta mbyllë faqen e Facebok-ut të të dashurës, për shkak të pasojave që kishte.

Një ditë pas këtij takimi, oficeri i SHKB-së ka marrë një mesazh nga një profil “anonim” që ai dyshon se ishte i shtetasit Ermir Skeja: “Nëse ke bërë denoncim ndaj meje në polici, kthehu e tërhiqe urgjent, ndryshe do ta bëj kokën vrima-vrima”.

Dy burrat kanë lënë takim përballë më 27 maj. Mes tyre ka pasur një përleshje fillimisht fizike. Oficeri tha se Skeja kishte një armë në brez. “Ia mora dhe e godita me qytë disa herë. Gjatë përleshjes arma më ra në një kanal. Kur po shkoja te mjeti për të marrë prangat, ai nxjerr nga pantallonat një pistoletë tjetër. Qëlloi drejt shokut tim. Unë i dola përballë dhe i thashë: Nuk ke punë me të, por me mua. Ai qëlloi disa herë dhe unë mora një plumb në gjoks”, deklaroi para Gjykatës së Matit, oficeri i SHKB-së.