Policia italiane ka arrestuar një 43-vjeçar i cili prej 10 vitesh ndodhej në kërkim. Astrit Rryçi është dënuar me 23 vite burg nga Gjykata e Apelit të Venecias, pasi në tetor 2005 vrau në një pikë karburanti Artur Kolën.

Sipas drejtësisë italiane vrasja erdhi për shkak të rivalitetit mes bandave shqiptare për kontrollin e prostitucionit në rrugën Terraglio.

Në vrasje besohet se është përfshirë dhe vëllai i tij, por ai nuk u dënua për shkak të mungesës së provave.  Gjyqi ndaj Astrit Rryçit është zhvilluar në mungesë pasi ai u zhduk fill pas vrasjes.

Ai u arrestua më 7 dhjetor në Durrës. 43-vjeçari kishte ndryshuar mbiemër pasi mbante një pasaportë me emrin: Astrit Mani.

Shqiptari pritet të ekstradohet në ditët e ardhshme për të kryer dënimin për vrasjen e 10 viteve më parë.

Ngjarja daton më 19 tetor 2005, kur Artur Kola, 27-vjeç u vra në mënyrë brutale.

Nga hetimet rezultoi se kishim të bënim me një luftë mes klaneve për kontrollin e prostitucionit.

Kola, i cili jetonte me familjen në Treviso u gjet i vrarë me një plumb në kokë.

Sipas hetuesve të policisë, Kola u vra për shkak se kishte mbrojtur vajzën shqiptare e cila kishte hyrë në zonën e prostitucionit që kishte nën kontroll një grup shqiptarësh.

Ndërsa gjatë gjyqit familja e Kolës mbështeti hipotezën se ai ishte vrarë për shkak të një gabimi, pasi në fakt kriminelët po kërkonin një tjetër shqiptar.

Por, pas disa muajsh hetime policia zbardhi ngjarjen. Sipas policisë natën e ngjarjes vëllai i Astritit i ka telefonuar Artur Kolës duke lënë takim. Astriti është njohur si vrasësi nga deklarata e një dëshmitar. /panorama/