Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po qëndron në krye të një shteti të korruptuar që po trajtohet si plaçkë, ku punësimet bëhen ose me firmë të partisë ose me lek nën dorë. Në një deklaratë për mediet, deputeti Arben Ristani tha se PD ka siguruar një letër konfidenciale, të cilën edhe e bëri publike (shih më poshtë) që zëvendësdrejtori i përgjithshëm burgjeve, Bledar Skenderi ia drejton Edi Ramës, ku tregohet se si në të vërtetë, kryhen punësimet në shtet.
“Ky zyrtar i lartë e informon Edi Ramën se nga tetori i vitit 2013 e deri në gushtin e 2014-s, nga 762 emërime, vetëm 300 i ka bërë Partia Socialiste, ndërsa 462 i ka bërë LSI. Zyrtari i Lartë ankohet se LSI nuk po respekton marrëveshjen për ndarjen e pushtetit. Ai ankohet se disa drejtorë burgjesh, punësojnë njerëz sipas dëshirave të tyre dhe nuk marrin në konsideratë listën zyrtare me emra që i ka çuar Partia Socialiste”, tha Ristani.
Më tej, ai citon dhe zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, që në letrën drejtuar Ramës, thotë: “Në përgjithësi të gjitha emërimet në stafet drejtuese të policisë së burgjeve (shefa policie dhe oficerë) janë marrë nga jashtë sistemit, njerëz jo me formimin e duhur profesional dhe kjo po cenon rëndë sigurinë në këto institucione.”
“Ai i sugjeron Ramës që Partia Socialiste duhet të marrë nën drejtim burgun e Fierit pasi aty ka 700 vende pune.
Ja pra kush është shteti i Edi Ramës.
Një shtet që trajtohet si plaçkë që ndahet mes aleatëve si tortë e pushtetit.
Partia Demokratike ju bën thirrje, të enjten në orën 10, të rimblidhemi në dyert e Parlamentit”, përfundon deklaratën sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ristani.
S.L.