Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë dy minorenë, të cilët janë autorë të tre vjedhjeve me thyerje të ndodhura gjatë 48 orëve të fundit si dhe të një serie vjedhjesh të lokaleve dhe banesave të ndodhura gjatë vitit 2014.

Në pranga ranë A.S.,16 vjeç, dhe Xh.L., 17 vjeç, të cilët, në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Valare (Gjirokastër), në shkollën 9-vjeçare “Petro Poga” kanë vjedhur me thyerje:

-1 Kompjuter

-1 Printer

-1 Skaner

-1 Kasafortë ku brenda saj kishte 50.000 lekë të rinj, si dhe vulën e shkollës.

Të gjitha sendet e vjedhura së bashku me disa bizhuteri, policia i gjeti në automjetin e njërit prej tyre dhe i sekuestroi.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se të dy të rinjtë kanë kryer gjatë 48 orëve të fundit dhe dy vjedhje të tjera me thyerje :

-Në fshatin Valare kanë vjedhur disa bizhuteri me vlerë rreth 5.000 Euro në banesën e shtetasit  M.S., 57 vjeç.

-Në fshatin Asim Zeneli kanë vjedhur disa sende shtëpiake në banesën e shtetasit I.H., 64 vjeç.

Vjedhjet që kanë kryer dy adoleshentët nuk kanë të sosur, për ata dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve të lokaleve dhe banesave në disa fshatra të Gjirokatrës, që kanë ndodhur gjatë 2014-s.