Gjykata për Krimet e Rënda vendosi një dënim me 32 vjet heqje lirie për një 41- vjeçar të akuzuar për një krim brenda familjes.
I pandehuri Afrim Sela është shpallur fajtor për vrasjen e vëllait të tij, Fabiol Sela. Ngjarja ka ndodhur më 16 maj 2015 në Fushë-Mamurras, Kurbin, pranë banesës së vëllait të tij, ku ishte duke u festuar ditëlindja e një fëmije.
Shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt mes të pandehurit dhe prindërve të tij, pas shitjes së një prone të familjes, shkruan Panorama. Sipas hetimeve, gati një vit para ngjarjes babai i tij kishte shitur një sipërfaqe toke të familjes. Për këtë ai i ka dhënë një shumë parash edhe të pandehurit, që mendohet të mos ketë qenë i kënaqur. Pretendimi i të pandehurit për një shumë më të madhe duket se ka sjellë një marrëdhënie të konfliktuar mes tij dhe prindërve. Kjo marrëdhënie kishte vijuar për disa kohë dhe ishte shoqëruar herë pas here me debate të forta mes “palëve”.
Kjo përplasje mes anëtarëve të së njëjtës familje ka kulmuar më 16 maj. Sipas hetimit, pasi ka konsumuar dhe një sasi alkooli, 41-vjeçari Sela ka marrë një armë dhe është nisur drejt banesës së prindërve të tij. Këta të fundit jetonin në një ndërtesë gati 50 metra larg banesës së të pandehurit, bashkë me vëllain e tij të vogël, Fabiol Sela, 33 vjeç, baba i dy fëmijëve të mitur.
Teksa ka parë vëllain e tij të armatosur me një pushkë model “56”, 33- vjeçari ka ndërhyrë për t’i marrë atij armën. Në këtë moment, i pandehuri ka shkrehur tre plumba në drejtim të tij. Për shkak të plagëve të marra, Fabiol Sela ka ndërruar jetë. I pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai u arrestua disa orë më vonë i fshehur në banesën e një të afërmi të tij, Edmond Matja, në Fushë-Krujë.