Edi Rama foli si racist ndaj veriorëve, gjatë takimit me socialistët e Sarandës, ku zhvilloi një takim si pjesë e turit, “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”. Duke folur për ata që erdhën nga veriu dhe u zhvendosën në Sarandë pas viteve 90, kryeministri tha se “i importoi Saliu nga Alpet”. Deklaratën e tha, për të treguar diferencën mes vendasve autoktonë në zonën e bregut dhe atyre që erdhën nga veriu.

“Ça gjetëm ne? Një breg Jonian nga Llogaraja deri në kufi, këtu me fqinjët tanë, me ndërtime pa leje. Mirë pa leje, se edhe stërgjyshëit tanë nuk vajtën morën leje, por të shëmtuara deri në pikën ku nuk thuhet. Se çdonjëri nga këta ndërtuesit pa leje, jo nga ata që i importoi Saliu nga Alpet, që i nxori pronarë në Jon, s’flas për ata. Flas për ata që kanë qenë këtu, për stërnipërit e atyre që ndërtuan Dhërmiun, Vunoin, Himarën, Qeparoin e Vjetër dhe Sarandën. Stërgjyshërit bënë fshatra estetikisht të shkëlqyer. Stërnipërit shkatërruan syrin përveç natyrës”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërsa i referohej fjalës së Koço Kokëdhimës, Edi Rama vazhdoi t’i etiketojë veriorët me epitete raciste dhe tallëse kur tha se “e panë detin për herë të parë, kur erdhi Sali Berisha në pushtet”. Me komente aspak normale për një kryeministër, vazhdoi talljen, duke thënë se  kjo ishte hera e parë që ata e panë detin “në historinë e fisit të tyre”.

“Tokat, 10 mijë hektarë përmendi deputeti këtu (Koço Kokëdhima), mbi 50 mijë hektarë rezultojnë të grabituar nga persona që figurojnë pronarë dhe që detin Jon e kanë parë për herë të parë kur fitoi Saliu pushtetin, për herë të parë në historinë e fisit të tyre”, tha kreu i qeverisë, duke folur para socialistëve të Sarandës.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama lëshon deklarata me kontekst krahinor. Në një intervistë të pak ditëve më parë, duke folur për sjelljen e disa deputetëve të veriut që kanë probleme me drejtësinë, ai deklaroi se ata përfaqësojnë vlerat e zonës së tyre. Ndërsa në fushatën elektorale të vitit 2013 atij iu desh disa herë të sqaronte veriorët, sidomos ata që janë zhvendosur në Kamzë e Paskuqan, se ai nuk u kishte thënë atyre asnjëherë shpellarë e cecenë ndryshe dhe se ky ishte një trillim i Sali Berishës./lapsi/