Kanë kaluar 5 vjet nga vrasja e deputetit socialist të Fierit, Fatmir Xhindi, dhe familja e tij i ka ende sytë nga drejtësia për zbardhjen e ngjarjes. Djali i madh i familjes, Andueli, prej 2 vitesh është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për të vijuar atë çka i ati la në mes.
Në një intervistë për Shqiptarja.com, Anduel Xhindi shprehet se borxhin ndaj familjes së tij e ka drejtësia, dhe jo Partia Socialiste, dhe thotë plot besim se drejtësi do të ketë. Deputeti Xhindi, ndër më të rinjtë në moshë në parlament, shprehet se përpos reformave të bëra, qeveria është në drejtimin e duhur, por ka ende shumë për të bërë.
“Ne si familjarë, – tha Xhindi, – në asnjë rast nuk kemi reshtur së kërkuari drejtësi në çdo institucion, si gjatë kohës kur në pushtet ishte e djathta, ashtu edhe sot që në pushtet është mazhoranca e majtë.
Vrasja e babait tim është një çështje e stisur në mënyrë të tillë për të qënë e vështirë për t’u zbardhur por jo e pamundur. Për këtë çështje kemi gjetur mbështetje nga institucionet e drejtësisë dhe po punohet për zbulimin e ngjarjes.
Është një ngjarje që për mendimin tim i kalon kufijtë partiakë. Në radhë të parë është detyrë e drejtësisë dhe më pas është detyrë morale e të majtës në pushtet për të mbështetur këtë gjë,” ka theksuar djali i deputetit të vrarë Fatmir Xhindi.