Pas ankesave të ngritura nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, shoqata e arkitektëve, por edhe grupe të tjera të shoqërisë civile dhe të medias, për mungesë të diskutimeve publike për paketën fiskale 2016, ka reaguar kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit Alban Ramohitaj për “DurrësLajm”.

“Në dijeninë time, paketa fiskale është diskutuar me grupet e interesit, me shoqatën e ekonomistëve, biznesmenë etj, në një takim të organizuar nga bashkia në muajin nëntor. Më pas paketa edhi dhe ju e patë, u miratua mes shumë debatesh në Këshillin Bashkiak. Detyrim i Këshillit Bashkiak është diskutimi me grupet e interesit i buxhetit të bashkisë. Edhe këtë vit në diskutimet që do të mbahen do të jenë të ftuar grupet e interesit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, dhe shoqëria civile. Çdo vit kanë qenë të ftuar, dhe janë debatuar çështjet që prek buxheti”, tha Ramohitaj.

Por kreu i Dhomës së Tregtisë Andrea Xhavara, për “DurrësLajm”, deklaroi se ashtu si paketa fiskale, edhe buxheti 8 javë para miratimit në Këshillin Bashkiak është detyrim ligjor të diskutohet publikisht me të gjithë grupet e interesit.

“Në 15 shkurt, buxheti ka afat të miratohet në Këshillin Bashkiak, aktualisht administrata është duke punuar për hartimin e buxhetit. Në fillim të vitit 2016, pritet diskutimi publik për këtë çështje”, tha Ramohitaj.