*Ish-kreu i Këshillit Bashkiak Indrit Hamiti: Durrësi nuk ka nevojë për transplante, Durrësi vuan nga hemorragjia cerebrale. Mungon transparenca në Këshillin Bashkiak për vendimet!

“Jo vetëm që paketa fiskale nuk u diskutua me grupet e interesit, por edhe 2 ndërhyrjet e planifikuara për rivitalizimin urban në hyrje të portit detar dhe te Mauzoleumi i Dëshmorëve, me vlerë rreth 700 milionë lekë,  duhet të diskutoheshin para se të kalonin shabllon për miratim në Këshillin Bashkiak. Durrësi nuk ka nevojë për transplante, Durrësi vuan nga hemorragjia cerebrale.”

I këtij mendimi është ish-kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit Indrit Hamiti. Ai pohon se është detyra e kreut të Këshillit Bashkiak, që të gjitha vendimet që merren në këtë këshill t’i diskutojë më parë me të gjithë grupet e interesit, me qytetarë, biznesin, shoqatat, shoqërinë civile etj, përpara se të kalojnë për diskutim në parlamentin e qytetit.

Ish-kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit, sjell praktikat e ndjekura deri para vitit 2013, në këtë Këshill. Hamiti akuzon bashkinë e Durrësit për mungesë transparence në hartimin e paketës fiskale dhe në projektet e investimeve për Durrësin. Qyteti i Durrësit ka probleme të rënda me infrastrukturën dhe me ujësjellës-kanalizimet.