8dhjetor 2015 – Shpërthimi i makinës në ecje në Kombinat mëngjesin e djeshëm u provokua me tritol. Një sasi rreth 200 gramë C4 ishte vendosur në automjetin Volsëagen, e cila drejtohej nga Elton Imeri, efektiv në Policinë Ushtarake të Durrësit.

Si pasojë e shpërthimit 34 – vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë duke humbur njerën këmbë. Ai është transportuar drejt Spitalit të Traumës me një mjet të rastit, pasi ambulanca është vonuar.

Elton Imeri ka qenë duke dalë nga Tirana ndërsa ishte i vetëm në makinë. Lënda plasëse shpërtheu në ecje dhe pas shpërthimit makina ka lëvizur edhe rreth 200 metra të tjera duke ndaluar më pas, raporton tvklan.

Pas këtij moment në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia shkencore e cila ka rindërtuar të gjithë ngjarjen . Nga veprimet e para hetimore dyshohet se eksplozivi ishte vendosur disa ditë më parë në makinë, në krahun e shoferit. C4 është aktivizuar me anë të një telefoni, por deri tani nuk është gjetur karta SIM me të cilën është aktivizuar.

Grupi hetimor ka ngritur disa pista. E para lidhet me një ngjarje të ndodhur në korrik kur Ervis Imerit, një familjari të të plagosurit iu vendos 600 gramë tritol në makinën e tij. Por ai e pikasi pakon e dyshimtë dhe policia e çaktivizoi.

Një pistë tjetër është ajo e konflikteve të mundshme të të plagosurit dhe për këtë arsye janë shoqëruar disa persona të cilët mund të kenë dijeni për këtë.

Elton Imeri është pjesë e policisë ushtarake të Durrësit, por deri tani nuk të dhëna që ngjarja të lidhet me detyrën e tij.

/portali DurrësLajm/