8 dhjetor 2015 – Ndahet nga jeta në moshën 38-vjeçare drejtori i përgjithshëm i Institutit të Statistikave, Gjergji Filipi. Prej kohësh ai po vuante nga një sëmundje e rëndë, për të cilën ishte duke u kuruar jashtë vendit. Por fatkeqësisht, ai e humbi betejën me sëmundjen e rëndë, mbrëmjen e së hënës, teksa kurohej në një klinikë të specializuar.
Gjergji Filipi që prej 24 tetorit 2013 drejtonte Institutin e Statistikave. Më parë, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Kërkimeve në Institutin AGENDA. Ka qenë me detyrë konsulent për një sërë projektesh në fushat e zhvillimit dhe politikave ekonomike të financuara nga BE; Banka Botërore dhe institucione të mirënjohura ndërkombëtare.
Ai ka pasur disa detyra shtetërore, që lidheshin kryesisht me çështjet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbante titullin “Doktor i shkencave”, kishte veprimtari të dukshme universitare dhe mjaft punime shkencore.
/portali DurresLajm/