5 dhjetor 2015 – Arrestohen 2 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, lidhur me një plagosje me armë zjarri.

Policia e Kurbinit ka arrestuar shtetasit Mariglen Stojani, 26 vjeç dhe Sander Rica, 51 vjeç, të dy banues në Kurbin.

Ndërsa janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e vëllezërve: Elson dhe Ervisjon Lleshaj, 29 vjeç dhe 31 vjeç, banues në Kurbin.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: K.B. 23 vjeç, dhe R.Ll., 33 vjeç, të dy banues në Kurbin.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur më datë 03.12.2015, rreth orës 21.00 të mbrëmjes, në Sanxhak, ku Mariglen Stojani është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe është dërguar në Spitalin e Traumave Tiranë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e kryera rezulton se autorë të dyshuar të kësaj ngjarje të jenë vëllezërit Lleshaj dhe ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes këtyre shtetasve.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë e fishekut mod.54 dhe disa bishta druri veglash pune.

Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se, gjatë veprimeve të para hetimore, kur është marrë në pyetje shtetasi Mariglen Stojani (i dëmtuari) ka refuzuar të japë shpjegime duke u përpjekur të mos deklarojë të vërtetën në lidhje me ngjarjen.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin. Elson dhe Ervisjon Lleshaj akuzohen për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Mariglen Stojani dhe Sander Rica për veprën penale “Moskallëzim krimi”. K.B. dhe R.Ll. për veprën penale “Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.

/portali DurresLajm/