5 dhjetor 2015 – Dhëndri padit në Gjykatë vjehrrin pasi pretendon se është dhunuar prej tij teksa po flinte gjumë. Në Gjykatën e Tiranës është depozituar padia nga qytetari Ylli Shehu, i cili kërkon nga vjehrri i tij Refik H. 67 vjeç dëmshpërblim, pasi ka rënë pre e dhunës.
Gjykata vendosi në favor të dhëndrit, duke dënuar me 6 muaj burg 67-vjeçarin, por më pas këtë vendim e pezulloi dhe e bëri shërbim prove për 18 muaj. Por, dhëndri kërkon një shumë parash nga vjehrri i tij për dëmet që i ka shkaktuar.
Ngjarja
“Gazeta Shqiptare” shkruan se gjithçka nisi më 8 tetor 2014, rreth orës 22:30, kur Ylli Shehu pati një debat me bashkëshorten e tij M.Shehu dhe e qëlloi me shpullë. Gruaja donte të bënte fizkulturë në sallonin e pritjes, ndërsa i shoqi i tha ta ndërpriste diçka të tillë. Aty ai nervozohet dhe e qëllon me shpullë. Më pas, në banesën e çiftit shkoi babai i nuses me djemtë e tij dhe dhunuan dhëndrin kur ai po flinte gjumë.
Dëmtimet ishin shkaktuar me një mjet të fortë, që hyjnë në kategorinë e dëmtimeve që sjellin pasojë humbjen e aftësisë në punë për 9 ditë. Babai i nuses sqaroi se veproi në këtë mënyrë se ishte i mërzitur për mënyrën si dhëndri i trajtonte vajzën dhe ka qenë shumë i tronditur.
/portali DurresLajm/