3 dhjetor 2015 – Gjatë muajit nëntor të këtij viti, tragetet janë shfrytëzuar nga 36.432 udhëtarë dhe 6.728 autovetura, përkatësisht 5 dhe 11 për qind më shumë se sa në muajin nëntor të 2014-s.

Shifrat e muajit që lamë pas, duke përfshirë numrin e lundrimeve, si dhe hyrje-daljet e udhëtarëve dhe automjeteve të çdo lloji, janë më të larta se sa nëntori i vitit të kaluar, ndërsa bie në sy numri 6 për qind më i lartë i udhëtarëve shqiptarë që kanë preferuar tragetet.

Sipas statistikave të nëntorit 2015, numri i shqiptarëve që kanë mbërritur në Durrës është 1.519 udhëtarë më shumë se sa i atyre që janë larguar me tragete nga porti më i madh i vendit, duke shënuar një ndryshim të tendencës së fillimvitit. Nga statistikat, mësohet se që nga 1 janari 2015, numri i udhëtarëve me tragete ka arritur në 706.893 me 138.743 autovetura, thuajse saktësisht të njëjtat shifra të 11-mujorit të vitit të kaluar.

Tragetet e linjave që nga Durrësi lundrojnë drejt Barit, Ankonës dhe Triestes dhe anasjellas, kanë transportuar gjithashtu 682.606 ton mallra të ndryshme, ose 7807 ton më shumë se në periudhën janar-nëntor të vitit 2014.

Megjithëse kanë kryer 49 lundrime më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tragetet kanë transportuar 53.322 kamionë, duke kaluar me 2 për qind shifrat e 11-mujorit të vitit paraardhës, ndërsa numri i trajlerave është 20 për qind më i vogël.

/portali DurresLajm/