29nëntor 2015 – Policia e Shkodrës vijon aksionin për arrestimin e katër personave të shpallur në kërkim për pengmarrjen njëjavore të një personi në fshatin Plan. Dy ditë më parë forcat e ndërhyrjes së shpejtë arrestuan Tomë e Lekë Shkrepën dhe Kolë Dushkun, si anëtarë të bandës që kishin rrëmbyer shtetasin S.K.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur detaje mbi pengmarrjen. Ka qenë shtetasi A.K, i cili ka kallëzuar më datë 21.11.2015 se, ka qenë duke pirë kafe me vëllanë e tij shtetasin S.K, në një lokal në vendin e quajtur Rus, Shkodër, kur aty kanë ardhur Tomë Shkrepa, si dhe dy persona të tjerë, të cilët i kanë hipur në një autoveturë tip “Benz Mercedes” dhe i kanë dërguar në fshatin Grudë e Re.

Pasi kanë zbritur nga automjeti, një prej tyre iu tha, “ju ose do të më jepni 10 mijë euro, ose do më gjeni shtetasin X, nga Mali i Zi”. Më pas ata i kanë hipur në një automjet tip “Rang Rover”, ngjyrë jeshile, duke i dërguar në një përrua në fshatin Rrash-Kullaj, Malësi e Madhe dhe pasi i kanë rrahur, kanë lënë makinën dhe për tre orë udhëtim më këmbë kanë shkuar në një fshat në zonën Dukagjin.

Përpara iu kanë dalë dy persona të armatosur të cilët kanë marrë me vete shtetasin S.K, ndërsa Shkrepa dhe një tjetër janë kthyer së bashku me A.K. në Shkodër, duke i lënë afat këtij të fundit që deri më datë 29 nëntor 2015, të sigurojë paratë. Dy vëllezërit kishin ndërmjetësuar blerjen e një sasie lënde narkotike, por blerësit nuk kishin dhënë të gjitha paratë. Atëherë të dyshuarit mbajtën peng ndërmjetësit deri në gjetjen e parave. /Shekulli/