Nga Dom Gjergj Meta
Të zhytur në problemet e mëdha të tranzicionit, në kakofoninë e politikës së përditshme që e thithim pandërprerë si ajrin e ndotur, të retorikës dhe propagandës boshe rreth arritjeve apo premtimeve të mëdha, të kësaj flame që po merr jetë e na ka bllokuar jetën, papritur, këtë rutinë tonën anestizuese, e ndërpret Arjan Sala.
Djaloshi me shikim të qetë, roja i sigurisë, i cili ka humbur jetën në një qendër tregtare, duke u munduar të fikë zjarrin për të shpëtuar ata që punonin aty, u bë menjëherë heroi ynë. Sa të nevojshme e paskemi pasur sakrificën e këtij njeriu për t’u zgjuar, por paradoksalisht edhe për të shpresuar. Arjani, falë Zotit ka një emër e një fytyrë, zuri wall-et e rrjeteve sociale, kur ende nuk dihej fati i tij, si për t’i treguar botës se sa ngutshëm kemi nevojë për heronj, ndokush e vuri foto profili, dikush tjetër i thuri dy fjalë zemre. Ka diçka të pastër qelibar në këtë histori, diçka të pazhyer, të pa bërë pis, si një lloj qengji Pashkësh, i patëmetë. Arjani shpëtoi disa njerëz me gjestin e tij, por na shkundi edhe ne të tjerëve duke na thënë se ka ende njerëz në këtë vendin tonë.
Ne nuk e njihnim Arjanin, nuk e dinim se kush ishte. E ai do të vazhdonte të zgjohej herët, të shkonte në punë, të kthehej prej saj për te familja e fëmija i tij i vogël dhe ne nuk do të dinim gjë prej gjëje për të, nëse ai zjarr i mallkuar nuk do të binte apo sikur ato investime propagandistike për zjarrëfikëse të ishin efektive. Madje as njerëzit që punonin me të, të cilët ai edhe i shpëtoi, nuk e dinin se kishin aty një engjëll mbrojtës. Arjani dhe shumë të tjerë janë njerëz të këtillë, të pazhurmshëm, që nuk zënë asnjë hapësirë më shumë sesa hapësira e vet, që nuk zhvasin vëmendje çdo ditë duke e paguar atë vëmendje me para ose dinjitet.
Arjani zgjoi brenda nesh atë dëshirë të madhe që kemi të gjithë për t’iu gjendur pranë njëri-tjerit. Papritur, ai ngacmoi ato ndjenja të mira që të gjithë i kemi brenda nesh, të cilat ose i harrojmë, ose mpihen nga e përditshmja frenetike apo shpesh nga dembelia jonë.
Sa qesharak të duket vetja përballë Arjanit, sa qesharake na duket ajo ndjenjë madhështie, herë e fshehur e herë e thënë me zë të lartë “më të mirë se ne nuk ka”. E ja pra që paska!
Arjan, një Zot e di se ç’po ndjejnë njerëzit e tu! Nuk do doja ta provoja kurrë. Por nëse të ngushëllon apo i ngushëllon disi, ti u bëre heroi i çdo shqiptari të mirë që e do vendin e tij dhe njerëzit që ka afër! Faleminderit Arjan!