Nga Mila Ballhysa
Ora 17.00. Kjo është situata në vendgrumbullimin e mbeturinave urbane në lagjen nr.3, tek ish-Serat.
Po kjo situatë ishte edhe mëngjesin e sotëm. E di mirë, sepse aty pranë banoj. Venddepozitimi ndodhet vetëm 100 metra larg bashkisë dhe 50 metra larg prefekturës.
Sa herë më duhet të shkruaj për plehrat gjatë stinës së verës, mendohem dy herë, sepse nuk është mirë që në mes të sezonit turistik shumë lajme nga Durrësi të lidhen ngushtësisht me problematikën e mbeturinave urbane. Nuk është vetëm shqetësimi im, është shqetësimi i të gjithëve. Raportimet e qytetarëve në redaksi, në pjesën më të madhe lidhen drejtpërdrejt me këtë shqetësim. Reagimet e qytetarëve në rrjete sociale janë më të shumta dhe plot revoltë pikërisht kur bëhet fjalë për plehrat, për pastrimin e qytetit, për tërheqjen në kohë të mbeturinave.
Tani shpesh më ndodh që dhe kur qytetarët më kontaktojnë për ndonjë shqetësim, pasi e parashtrojnë atë më thonë: Kemi dhe problemin e plehrave!!!
Sa herë kemi bërë shkrime për mbeturinat urbane të patërhequra prej ditësh reagimi i NSHK ka qenë i menjëhershëm. Problemi i qytetarëve është zgjidhur për vetëm pak ditë, për t’u rikthyer sërish pas 4 ditësh, sepse situata nuk ndryshon.
Pastrimi i qytetit mbetet një shqetësim jo vetëm kur landfilli i Sharrës na mbyll dyert, por është prezent në pjesën më të madhe të vitit. Në qendër, në periferi, në zona rurale… kudo ka qytetarë që ankohen për mos tërheqjen në kohë të plehrave, për mungesën e kazanëve, për zënien e pusetave dhe kanaleve nga plehrat, për djegien e plehrave në mes të lagjeve etj. Shpesh edhe qytetarët kanë gjynahet e veta me papërgjegjshmërinë që tregojnë në hedhjen e mbeturinave vend e pa vend, por në qytet mungon një strategji konkrete dhe efektive për mbajtjen pastër të Durrësit.
NSHK Durrës dhe NSHK Plazh janë ndërrmarrjet që kanë nën përgjegjësi pastrimin e qytetit. Të dyja janë në varësi të bashkisë, institucion që ndër vite ka qenë përgjegjësi kryesor për fondet për këto ndërmarrje, për investimet për blerjen e mjeteve të automatizuara për pastrimin e qytetit dhe rrugëve e trotuarevee, për shtimin e numrit të kazanëve etj, etj.
Fakt është që në vitin 2021, rrugët e Durrësit pastrohen ende me fshesa gjineshtre!!!
Fakt është që rrugët e trotuaret, në ato pak raste që lahen, pastrohen ende me furçë dhe zorrë uji, sepse mungojnë mjetet moderne!!! Vetëm pak vite më parë, në Durrës kishte 4 autofshesa larëse për rrugë e trotuare.
Fakt është që nëpër rrugica të lagjeve të qytetit, kazanët janë të dëmtuar e amortizuar (shpesh u mungojnë rrotat) dhe tërheqja e mbeturinave bëhet në mënyrë primitive, me lopata!!!
Fakt është që vendet e përcaktuara për vendosjen e kazanëve shpesh lëvizen sipas “orekseve” të qytetarëve apo bizneseve!!! Para sa të bëheshin rrugët e reja, kazanët kishin vende të përcaktuara me xhep në trotuare. Pas investimit të bërë për ngushtimin e tyre, në pjesën dërrmuese të rasteve nuk është menduar për vendqëndrimin e kazanëve.
Fakt është që shpesh nëse ke në dorë një letër apo diçka që do ta hedhësh në kosh në rastin më të mirë të duhet ta mbash gjatë në dorë derisa të gjesh një kazan për ta hedhur!!! Në rastin më të keq përfundon e hedhur mes rrugës, sepse mungojnë koshat e vegjël nëpër trotuare.
Fakt është që nga 6 mjete agregate që duhet të kishte në dispozicion NSHK Durrës ka vetëm 4, por asnjëherë nuk janë të katërta në punë, sepse janë me difekte!!! Po ashtu ka mungesë edhe të minikamionçinave, të cilat përdoren kryesisht për tërheqjen e mbeturinave nëpër rrugët dytësore, ku nuk hyjnë dot mjetet aggregate.
Fakt është që edhe pasi tërhiqen mbeturinat, vendi rreth e rrotull kazanëve është i “nxirë” nga pisllëku, ndërsa klori dhe gëlqerja përdoren vetëm me raste.
E ndërsa shoh plehrat nëpër lagje të ndryshme, më vijnë ndër mend aksionet propagandistike që ndërmerren kur ndonjë kryebashkiak merr postin, apo në prag të sezonit turistik…
P.S. Disa muaj pas 26 nëntorit 2019 dëgjoja shpesh nga drejtues të lartë në Durrës shprehjen: Ra tërmeti dhe morëm fonde e po rregullohen shkollat, sepse ishin në gjendje shumë të keqe shumë prej tyre!!!
Duhet t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore qytetit, që institucioni i qeverisjes vendore të nisë të mendojë realisht dhe të vërë në zbatim strategji për pastrimin e Durrësit???