Një ushtri me gra dhe vajza, të paktën 1 mijë prej 3 mijë anëtarëve, e urryer në Irak dhe Iran, ku akuzohen për terrorizëm dhe masakra. Ish-aleate e Sadam Hysein, tashmë e mbetur paatdhe dhe në rrezik për t’u shfarosur prej hakmarrjes së kurdëve dhe shiitëve të Irakut apo e shuar në vetëvrasje masive.
Një sekt që adhuron dhe ndjek verbërisht një burrë dhe një grua, të cilët jetojnë në luks, duke hequr dorë nga martesa e duke marrë pjesë në rrëfime kolektive të ëndrrave dhe dëshirave seksuale. Kjo është sipas një serie shkrimesh në Ny Times, The Guardian apo BBC “Mojahedin-e-Khalq” (Muxhahedinët e Iranit), grupi për 210 anëtarët e të cilit qeveria shqiptare vendosi të ofrojë strehim, nga 3200 të mbetur në “mëshirë të fatit” në Irak.
Nga ana tjetër ata janë të simpatizuarit e Rudolf Xhulianit, ish-kryebashkiaku i Nju-Jorkut, i cili ka lobuar që të hiqen nga lista e terroristëve, (për çka akuzohet se është paguar) dhe një sërë amerikanëve të tjerë që shohin te kjo ushtri (tashmë e çarmatosur) një mundësi për të nxitur rezistencën kundër regjimit të ajatollahëve në Iran.
Ata vetë paraqiten si opozitë kundër regjimit iranian, si forcë përparimtare e cila drejtohet prej kohësh nga një çift-burrë e grua, Masud dhe Maryam Rajavi, ku kjo e dyta, e vendosur prej vitesh në Paris luan rolin e frymëzueses dhe propagandon barazinë mes dy gjinive. (Anëtarët e sektit luten në emër të saj).
Ata thonë se po bëjnë gjithçka kundër regjimit të ajatollahëve, por mjaft kritikë i shohin si një bashkim mes marksizmit dhe një sekti dhe për shumë të tjerë ata janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit.
/MAPO/





