DURRES, 19 mars 2013 – Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka pritur sot në një takim kryetarin e komunës së Mitrovicës Avni Kastrati. Kastrati vizitoi qytetin e Durrësit në krye të një delegacioni të përbërë nga nënkryetari i komunës dhe anëtarë të këshillit komunal të Mitrovicës.
Në këtë takim kryebashkiaku Dako i njohu miqtë nga Kosova me qytetin e Durrësit, zhvillimin ekonomik, investimet e realizuara në sektorin e turizmit etj.
Në të njëjtën kohë kryebashkiaku Dako ka biseduar gjatë me homologun e tij nga Mitrovica në lidhje me situatën në pjesën veriore të qytetit. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, theksoi gjatë takimit se gjërat kanë filluar të lëvizin në kah pozitiv. Gjithashtu Kastrati u ndal edhe në zhvillimet në qytetin kosovar dhe punën e bërë nga komuna në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve në dobi të qytetarëve.
Kastrati i bëri një ftesë zyrtare kryebashkiakut të Durrësit për të vizituar Mitrovicën, ftesë të cilën kryebashkiaku Dako e priti me kënaqësi dhe premtoi se do ta vizitojë këtë qytet së shpejti.
Më pas kryebashkiaku Dako i dhuroi kryekomunarit të Mitrovicës simbolet e qytetit të Durrësit, ndërsa nga ana e tij kryekomunari Kastrati i ka dhuruar Dakos simbolet e Mitrovicës.
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





