TIRANE, 19 mars 2013-Qeveria e Turqisë ofron për shtetasit shqiptarë, bursa për studime pasuniversitare në Master dhe Doktoraturë për vitin akademik 2013-2014. 

Studentët shqiptarë kanë mundësi të studiojnë pranë universiteteve turke në degët si : Shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, drejtësi, inxhinieri, shkenca islame, bujqësi, ekonomi, media dhe komunikim, histori, sociologji, arkitekturë etj. 

Aplikimi për këto bursa bëhet online (http://turkiyeburslari.gov.tr www.trscholarships.org) dhe afati i fundit për këtë aplikim është data 31 mars 2013. 

Administruesit e këtyre bursave bëjnë me dije se procesi i aplikimit është tërësisht falas, si dhe mund të bëhet lehtësisht në këtë faqe interneti. 

Për të siguruar të drejtën e marrjes së programit të bursës, kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të cilat duhen verifikuar më pas edhe me dokumentacionin përkatës të kërkuar. Pas datës 31 mars, komisioni i ekspertëve do të marrë në shqyrtim një e nga një të gjitha regjistrimet, për të detajuar listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të fituar programin e bursës për ndjekjen e studimeve pasuniversitare, ose doktoraturës në programet e detajuara.