TIRANE, 19 mars 2013-Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në burg Arben Frrokun, të akuzuarin kryesor të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj.
Krimet e Rënda kanë lënë në fuqi masën e arrestit në burg për Frrokun, i cili u kap disa ditë më parë në Greqi.
Ndërkohë pritet që autoritetet greke të vendosin për ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri.
Ministri e Drejtësisë nisi disa ditë më parë procedurat për ekstradimin e të ndaluarit në Selanik duke iu dërguar homologëve grekë edhe dosjen e prokurorisë për Arben Frrokun.
Dosjet për dy të dyshuarin kryesor të vrasjes së komisar Dritan Lamajt, është hartuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës.
Frroku akuzohet për vrasjen e ish shefit të komisariatit numër 6 në Tiranë, ndërsa masa ndaj tij u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në mungesë.
Arben Frroku u arrestua mëngjesin e 25 Shkurtit në Selanik të Greqisë dhe u la në burg për 40 ditë nga Gjykata greke për armëmbajtje pa leje dhe posedim lëndësh narkotike.





