ROME, 18 mars 2013 – 26 vjeçari shiqptar, Xhevahir Gjuta, rezulton i zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës.
Siç raportojnë mediat italiane, i riu shqiptar është ndarë nga miqtë e tij duke thënë se do të shkonte në Punta Ala të provincës së Grossetos që të ushtrohej në det për të marrë dëshminë e zhytësit.
E pikërisht rrugës për në bregdetin e atij lokaliteti, policia italiane ka gjetur makinën e 26-vjeçarit, ndërsa buzë detit rrobat e tij.
Sipas informacioneve të dhëna nga Mbrojtja Civile, djali duhet të ketë humbur që të shtunën, por denoncimi i zhdukjes së tij është bërë të dielën paradite nga një kushëri me të cilin bashkëjeton.
Menjëherë kanë nisur kërkimet nga forca të Rojes Bregdetare në det e ajër, ndërsa të Mbrojtjes Civile, Zjarrfikësve dhe Rojes Pyjore në bregdet.
Por këto orë kërkimet në det janë pezulluar për shkak të motit të keq që ka goditur Maremma-n.
Do të rinisin sapo moti të përmirësohet pak e të bjerë era e fortë.
Gjithsesi mediat italiane shkruajnë se me kalimin e orëve zbehen edhe shpresat se 26 vjeçari shqiptar mund të gjendet i gjallë.
I riu është i fejuar me një vajzë shqiptare me të cilën do të martohej në muajin prill.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





