TIRANE, 17 mars 2013 – Pedofili që ka vrarë Julian Çelën dhe abuzoi seksualisht me një 10 vjeçar të rrëmbyer një ditë më parë është dënuar nga gjykata e Tiranës në nëntor të vitit 2008 me një gjobë prej 600 mijë lekësh, pasi akuzohej në atë kohë për rrëmbimin e një fëmije.
Kjo neglizhencë e gjykatës ndaj Ardian Prrenjasit ka bërë që sot, në vitin 2013, ai të përdhununonte një fëmijë 10 vjeçar, ndërkohë që kishte kryer një krim edhe më të rëndë; kishte rrëmbyer e vrarë Julian Çelën, 11 vjeçarin e zhdukur në nëntor 2012.
Ardian Përrenjasi, baba i 3 fëmijëve, i divorcuar, është kapur sot në flagrancë, pasi pasditen e djeshme kishte rrëmbyer një tjetër fëmije 10-vjeçar, te cilin po bëhej gati ta vriste sot, në shtëpinë ku jetonte me qera në Laprakë. Ardian Prrenjasi rezulton person me precedentë penal, pasi është akuzuar se ka abuzuar seksualisht me të mitur si në shtetin grek ashtu edhe në vendlindjen e tij Librazhd.
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi pas arrestimit të Prrenjasit se “reagimi i shpejtë i policisë shpëtoi nga kthetrat e monstrës Ardian Prrenjasi një tjetër fëmijë”. Burgaj shtoi se detaje të reja do jepen në orët në vijim për fatin e kufomës së Julian Çelës, viktimë e vrasësit serial të fëmijëve.
E ndërsa në familjen Çela janë hapur dyer e mortit ku familjarë dhe miq kanë shkuar për t’iu gjetur pranë prindërve të vogëlushit Julian Çela, policia është duke punuar intensivisht për gjetjen e kufomës së 11 vjeçarit, që dyshohet të jetë vrarë 2-3 ditë pas rrëmbimit.
Jualin Çela, djali i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH Skënder Çela, rezultonte i zhdukur prej 30 nëntorit 2012. Djali i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që një nga pistat e hetimit ishte se mos zhdukja e vogëlushit kishte lidhje me punën e babait të tij.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





