TIRANE, 17 mars 2013– Një udhëzim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve synon të përcaktojë detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhjet e 23 qershorit, pas ndryshimeve të miratuara në kodin zgjedhor, vitin e kaluar. 

"Me rivendosjen e rendit në qendrën e votimit, KQV-ja u kërkon organeve të Policisë së Shtetit të largohen nga qendra e votimit dhe merr masa për rifillimin e menjëhershëm të votimit. Ky fakt pasqyrohet në procesverbalin e rifillimit të votimit", thuhet në nenin 7, të ndryshuar të këtij akti. Në mbledhjen e nesërme KQZ do të vijojë shqyrtimin nen për nen të rregullores së brendshme, si dhe shqyrtimin e pr/vendimit "Për shqyrtimin e raporteve të ndërmjetëm të auditëve teknicien për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJC-së dhe procesin e hartimit të listave”. 

Udhëzimi i ri, që do të shqyrtohet të hënën në KQZ, synon të ndryshojë aktin e vitit 2009, që lidhet me detyrat e strukturave të rendit në zgjedhje, dhe konkretisht nenin 7 të tij, që bën fjalë për veprimet e komisionit të qendrave të votimit(KQV), kur rrezikohet rendi, dhe lejimi i punonjësit të Policisë për t'u futur në ambientet e qendrës së votimit. 

"Kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, KQV-ja pezullon votimin dhe njofton menjëherë organet e Policisë së Shtetit dhe KZAZ-në. Sapo forcat e policisë paraqiten në qendrën e votimit, KQV-ja u dorëzon atyre menjëherë përpara ndërhyrjes njoftimin për thirrjen e policisë, të firmosur dhe vulosur nga anëtarët e komisionit të pranishëm në momentin që cënohet rendi dhe zhvillimi i rregullt i votimit", përcaktohet në udhëzimin e ri.