TIRANE, 17 mars 2013– Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili reagoi sot në lidhje me propozimin e kryeministrit për përfshirjen në procesin e votimit të 16- vjetarëve. I pyetur për këtë çështje gjatë një konference për mediat, Vasili tha se LSI i ka bërë pjesë të anëtarësisë dhe vendimmarrjes së saj 16-vjeçarët, duke shtuar se partia e tij është e kënaqur që Berisha e ka përqafuar këtë ide. 

"Ne jemi të kënaqur që edhe Berisha e ka përqafuar këtë ide të re, por nuk e kuptojmë hezitimin e të tjerëve. Ky proces mund të ecë përpara. Ne kemi prova spektakolare të mirëkuptimit edhe për 60 minuta ku 3/4 e Kushtetutës së vendit janë ndryshimit të Kushtetutës, kështu që ndryshimi i nenit nuk kërkon më shumë se 5 minuta. Vullneti është çështja kryesore.”-u shpreh Vasili. 

Kryeministri Berisha propozoi pak ditë më parë uljen e moshës së votimit, nga 18, në 16 vjeç, pasi sipas tij fitojnë 100 mijë votues të rinj. Për këtë nismë, Berisha iu referua dje Austrisë, një ndër vendet në Evropë që aplikon votimin që nga mosha 16 vjeç. Sipas Berishës, realizimi i kësaj nisme në praktikë është çështje vullneti politik. 

LSI: TE VOTOHEN SA ME SHPEJT LIGJET E INTEGRIMIT

Lëvizja Socialiste për Integrim ripërsëriti edhe sot apelin e saj për klasën politike shqiptare për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat. Petrit Vasili tha se përpara Shqipërisë dhe politikës ekziston vetëm një detyrë madhore: miratimi sa më parë i 3 ligjeve. Sipas tij kjo çështje "jo vetëm që ka mbetur peng i politikës, por po përdoret rëndom si një instrument i betejës politike". 

Vasili tha se votimi i këtyre 3 ligjeve nuk mund të lidhet me 23 qershorin, pasi ky do të ishte një gabim i rëndë i politikës. Më 23 qershor, sipas tij, qytetarët do të shprehen për ata që i bindin më shumë, dhe opozita, cilado qoftë ajo, nuk duhet të përsërisë një praktikë bllokimi të procesit. 

"Nuk mundet që integrimi të lidhet me këtë datë se ky do të ishte një gabim i rëndë për politikën. 23 qershori nuk do të thotë të riprodhojë fenomenin që opozita të përsërisë një taktikë bllokimi të procesit. Ndaj votimi i tre ligjeve të integrimi do të thoshte para së gjithash ndërtimi i një filozofie të re komunikimi në politikë dhe ndarja një herë e përgjithmonë nga një filozofi 'lufte' dhe mosbashkëpunimi", – u shpreh Vasili.