TIRANE, 17 mars 2013– Rreth një javë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë në mungesë për personazhin e njohur në Shqipëri pas vitit 1997. Ish-drejtuesja e “Gjallicës” akuzohet se ka kryer sërish veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda” ndaj tri qytetareve në Tiranë. Për herë të dytë që pas lirimit nga burgu në vitin 2007, emri i Shemsie Kadrisë kalon sërish në dosjet e Interpolit me urdhër të Gjykatës së Tiranës. Më 7 mars 2013, në Gjykatën e Faktit në kryeqytet është regjistruar dosja penale me akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda” ndaj Shemsie Kadrisë. 

Pak ditë pas hedhjes së dosjes në short, e akuzuara për mashtrimin e tre qytetarëve është shpallur në kërkim duke qenë se në fazën e hetimit dhe të gjykimit nuk ka qenë prezente në asnjë moment, duke mos dhënë asnjë adresë të saj. Caktimi i masës së sigurisë ndaj së dyshuarës duket se është bërë nga gjykata me qëllim që Shemsie Kadria të kapet nga policia dhe të jetë e pranishme në gjykim. 

Sipas të dhënave policore, deri pak kohë më parë ka pasur informacione se e dyshuara banonte diku në Durrës, megjithatë një adresë në këtë qytet si dhe një vendbanim në Tiranë janë verifikuar nga policia. Në këto dy koordinata nuk ka qenë e mundur gjetja e Shemsie Kadrisë, e cila mendohet se është larguar jashtë Shqipërisë kohë më parë, ndonëse sipas Policisë, në sistemin TIMS nuk rezulton një gjë e tillë. 

/Panorama/