TIRANE, 16 mars 2013– Krahas baltosjes, përgjimeve, ndëshkimeve financiare, kërcënimeve dhe shantazheve në strategjinë e kryeministrit Berisha për llogari të zgjedhjeve të 23 Qershorit, është edhe reprezalja në radhët e opozitës shqiptare. Një nga sekretet e jetëgjatësisë së kryeministrit Berisha në politikë, është fakti se ai i mban peng kundërshtarët politikë me anë të dosjeve kompromentuese. Por, nëse kryeministri arrin të mbajë në rresht të vetët me anë të dosjeve, këtë formë kontrolli po tenton ta shtrijë edhe në radhët e opozitës, e cila është kërcënimi i vetëm për pushtetin e tij. Duke përdorur institucionet shtetërore si dorashka doktori, kryeministrit Berisha po gërmon në çdo skutë për të gjetur dokumentet kompromentuese për eksponentët e opozitës, me qëllim për t’i mbajtur peng dhe tw gjunjëzuar para zgjedhjeve.

Tre muaj para zgjedhjeve, kryeministrit ka çuar kontrolle të befasishme në të gjitha bashkitë e majta, me qëllim për të mbledhur çdo shkelje dhe abuzim, për t’i përdorur si shantazhe politike. Aksioni i reprezaljes me audite po shoqërohet dhe me arrestime e prangosje të funksionarëve vendorë të Partisë Socialiste. Meqenëse e vetmja pikë mbështetëse për Partinë Socialiste është pushteti vendor, Berisha po godet pikërisht këtë pikë për ta dobësuar. Disa ditë më parë, policia arrestoi ish-kryetarin e Komunës Dajç, Rrok Rrokun për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Rroku ishte kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 8 Majit 2011, por nuk fitoi. Ai po punonte për fitoren e PS për zgjedhjet e 23 Qershorit, por u arrestua pikërisht në prag të fushatës. Po ashtu, disa javë më parë, policia arrestoi kryetarin e Komunës Rukaj, i propozuar nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 8 Majit. Arrestimi i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ishte vetëm hapi i radhës në zbatim të operacionit për të goditur njerëzit e PS në pushtetin vendor. Roshi u lirua nga gjykata, por pushteti vijon ta survejojnë dhe shantazhojë. Ndërkaq, edhe në Bashkinë e Vlorës Berisha ka urdhëruar kontrolle të befasishme, me qëllim për të ngritur ndonjë akuzë mbi kryebashkiakun Gjika.

Elvis Roshi

Kryebashkiaku i Kavajës, njeriu që rrëzoi Sali Berishën prej 23 vitesh në Kavajë, tha dje për gazetën “SOT”, se pas arrestimit të tij fshihej paniku i pushtetit për 23 Qershorin. “Pas asaj që ndodhi fshihet paniku i pushtetit për 23 Qershorin. Berisha do të thyejë qafën në 23 Qershor, ashtu siç e theu në Kavajë në zgjedhjet e 8 Majit. Disfata e 23 Qershorit, në radhë të parë do t’i vijë nga Kavaja. Sa i takon arrestimit, gjithçka ishte politike, siç u konfirmua edhe nga gjykata”, deklaroi Roshi.

Në lojë Llalla dhe KLSH

Pjesë e lojës së Berishës për gjuetinë e shtrigave në bashkitë e majta është bërë edhe kryeprokurori Adriatik Llalla dhe kreu i KLSH, Bujar Leskaj. Leskaj po dikton raporte shkeljesh për bashkitë e majta, ndërsa Llalla, sipas udhëzimeve të kryeministrit Berisha, ka nisur hetimet ndaj shumë përfaqësuesve të PS në qeverisjen e vendore.

/gazeta “SOT”/