PRISHTINË, 15 mars 2013 – Debati i vazhduar mbi mbajtjen e shamive të kokës në vendet e Ballkanit përqendrohet te të drejtat e njeriut dhe liritë personale.
Debati rreth të drejtës për të mbajtur shami koke dhe simbole të tjera fetare në shkolla dhe institucione publike vazhdon në shumë vende të rajonit. Me gjithë përparimin në lëmë të të drejtave të njeriut, disa qeveri vazhdojnë të ndalojnë mbajtjen e shamive të kokës.
Megjithëse Kosova ka popullatën më të madhe myslimane në Ballkan, mbajtja e shamive të kokës ndalohet nga një urdhër administrativ i 2010-ës nga Ministria e Arsimit.
Në disa raste, autoritetet kosovare kanë përjashtuar vajza nga shkolla për mbajtjen e shamisë.
Në janar, Njomëza Jashari, një nxënëse tetëvjeçareje nga Ferizaj, u ndalua të hynte në shkollë me shami koke, mbështetur në urdhrin e 2010-ës.
Agim Berisha, drejtor i drejtorisë arsimore në bashkinë e Ferizajt, e shpjegoi situatën për portalin “SETimes”.
“Nuk e kemi përjashtuar nga shkolla, thjesht e kemi ndaluar të hyjë në shkollë me një uniformë që është në kundërshtim me urdhrin e 2010-ës nga Ministria e Arsimit”.
Jashari nuk e frekuenton më shkollën.
Autoritetet ranë dakord që të marrë pjesë në provime në fund të vitit shkollor, ku nuk ka të pranishëm nxënës të tjerë në ambientet e shkollës.
Shokët e klasës së Jasharit protestuan dhe në fund të janarit u organizua një takim i përgjithshëm nga lëvizja “Bashkohu”.
“Ky urdhër është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, e cila garanton të drejtat e arsimit për të gjithë qytetarët”.
“Është diskriminim i qartë mbi bazë fetare, ku myslimanët janë viktimat”, tha Bujar Gjikokaj, sekretar i përgjithshëm i lëvizjes “Bashkohu”.
Në Turqi, mësueset në shkollat publike dhe nxënëset nën moshën 18 vjeç ndalohen të mbajnë shami koke.
Studentet e universiteteve që mbajnë shami, janë lejuar në mjediset universitare që në 2010.
Disa juristë në Turqinë me shumicë islamike po tërheqin vëmendjen se ndalimi i tanishëm i shamisë është kufizimi i lirisë personale.
“Në Turqi, ndalimi i shamive të kokës në shkolla jo vetëm ka kufizuar lirinë e arsimimit të atyre vajzave, por ka minuar edhe zhvillimin demokratik të vendit”, tha Fatma Benli, nga Unioni Ndërkombëtar i Juristëve.
Në nëntor 2012, Turqia shpalli se për vitin akademik 2013-2014 do të heqë ndalimin e mbajtjes së shamisë në shkollat fetare dhe në shkollat e tjera gjatë kurseve të kuranit.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”, marrë nga “SETimes”/





