Partia Demokratike ka çelur sot zyrtarisht fushatën elektorale. Në orën 17:00 makinat dhe mbështetësit e PD-së u rreshtuan në sheshin “Nënë Tereza”, me flamujt ngjyrë blu dhe ata kuqezi në duar. Ndërkohë, që në sheshin “Nënë Tereza” gjithçka ishte gati, ajo që ra në sy ishte vonesa e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili mbërriti në skenën e improvizuar një orë me vonesë. Sipas ABC News, vonesa e liderit të demokratëve e kishte një arsye. E gjithë vonesa është lidhur me faktin pasi pas podiumit të ngritur e gjithë pjesa e universiteti ka qenë me ekrane, në këtë mënyrë organizatorët kanë dashur që të bjerë errësia dhe pamja e monitorëve të ishte më e qartë.

222 kandidatët e Lulzim Bashës u vendosën njëri pas tjetrit në krye të sheshit, ku fjalën kryesore e mbajti Basha.  Ai premtoi ndryshimin dhe ths se gjëja e parë që do të bëjë sapo të vijë në pushtet është futja e Shqipërisë në BE. Kryedemokrati Basha kërkoi ndihmën e qytetarëve për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë, të cilën e quajti një gursht njerëzish, që po mundohen të zhvasin vendin. Sapo mbaroi fjalën, në podium u ngjit familja e kryedemokratit Basha, e shoqja Aurela dhe dy vajzat e tij.