TIRANE, 14 mars 2013 – Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” 26 vjeçarja nga Durrësi, që në muajin janar u hodh nga kati i tretë i pallatit për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, rrëfen frikën që ka se mos burri i saj i bën keq vajzës. Hikmete Ukaj ka mbetur e paralizuar, por nëna e re shprehet se sapo të ngrihet në këmbë do të luftojë të marrë kujdestarinë e vajzës 5 vjeçe, me të cilën ka 3 muaj që nuk flet.
“Kam afro tre muaj që nuk flas me vajzën time… Do luftoj për ta marrë atë… Burri mund ta shesë për lekë…",- thotë Hikmetja, që numëron çdo ditë që kalon dhe pret me shpresën ditën kur do të ngrihet dhe do të ecë me këmbët e veta.
Kanë kaluar disa muaj që nga dita kur jemi takuar bashkë në Spitalin Ushtarak; a keni ende fraktura në trup?
Kam akoma fraktura në trup, unë nuk lëviz dot nga krevati. Që prej muajit janar rri shtrirë në shtrat dhe nuk lëviz as me karrocë. Probleme të mëdha kam vetëm me këmbët. Nuk mund të eci.
Ku jetoni tani?
Jetoj me familjen, tek prindërit. Nuk kam më lidhje me bashkëshortin.
Po vajza, nuk jeton me ju?
Jo, vajza ime jeton me bashkëshortin tim. Unë nuk e di se kush e mban. Nuk e kam parë fare, që prej muajit janar unë nuk kam folur me atë. Nuk kam folur fare as me burrin dhe as me vajzën, se ai nuk e ka sjellë tek unë.
Keni frikë se një ditë bashkëshorti juaj mund të rikthehet tek ju dhe t'ju kërcënojë?
Kam frikë, se ai me ato probleme merret, ai pret që të kërcënojë njerëzit e mi. Madje, pak kohë më parë ai ka marrë burrin e motrës sime dhe i ka thënë se do të vrasë vëllain tim. Ia ka dhënë telefonin edhe vajzës dhe i ka thënë "i thuaj dajës se do ta vras". Unë dua që ta marr vajzën vetë, vajzën nuk ia lë njeriu, sepse unë e di që për atë nuk kujdeset njeri. Unë nuk e braktis vajzën time.
Kur të mundesh që të ecësh me këmbët e tua, cila është gjëja e parë që do të bësh?
Gjëja e parë që unë do bëj kur të ngrihem, do shkoj në gjykatë të luftoj për vajzën time. Unë nuk ia lë askujt atë. Vajzën e mban me zor dhe kam frikë se mos i bën gjë vajzës, se ai mund të dalë dhe ta hedhë në rrugë në mes të makinave, madje ai mund ta shesë për lekë.
Çfarë kërkoni nga drejtësia shqiptare?
Unë kërkoj që shteti ta arrestojë burrin tim, se ai gjithmonë është marrë me trafik – çonte njerëzit në kufi – dhe unë nuk ia lejoja këto gjëra në shtëpi dhe ai nisi të më rrihte mua. Këtu nisën konfliktet mes nesh. Edhe kur ishim bashkë, ai i thoshte vajzës që, "do të të vras edhe ty, edhe mamin."
/Gazeta Shqiptare/





