FORLI, 13 mars 2013 – Femrat shqiptare gëzojnë një emër të mirë në Apenine, madje ato janë dhe protagoniste të jetës kulturore.

Shoqata  Juvenilja, nën kujdesin e komunës italiane Forlì, organizoi disa veprimtari, në qendër të të cilave kanë qenë figurat e tri grave në emigracion: shkrimtares Irma Kurti, këngëtares e aktivistes Liljana Picari dhe piktores Elona Marika, njofton Deana Curraj në gazetën “Shqiptari i Italisë”.

Piktorja durrsake Elona Marika

Pranë qendrës kulturore L’Urlo, u hap ekspozita “Portret Gruaje” e piktores shqiptare Elona Marika me banim në Piacenza.

Në mjedisin e kësaj qendre, të pranishmit ndoqën me interes fragmente të jetës e të krijimtarisë së grave aktiviste.

Elona Marika u përqendrua në fillimet e pasionit për të pikturuar që në fëmijëri, nga vizatimet e para të nisura si lojë e deri tek ekspozitat e hapura në qytetin e lindjes, Durrësit si dhe në Piacenza, jeta e saj e ndarë midis familjes e dëshirës për art si dhe përpjekjes për të përballuar të përditshmen në emigracion.

Të pranishmit patën mundësi të shikonin nga afër kuadrot e ekspozuara në mjedisin e qendrës kulturore, atë mozaik dritash e hijesh pas të cilave fshihet melankolia, po edhe këmbëngulja e çdo gruaje për të ecur përpara e për të sfiduar vështirësitë

Shkrimtarja Irma Kurti

Irma Kurti, poete e shkrimtare me veprimtari të gjatë letrare, e njohur edhe si autore e suksesshme e shumë teksteve të këngëve nëpër Festivale në RTV, paraqiti librin e saj më të fundit në italisht “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim).

E vlerësuar me çmim të dytë në Konkursin e 26-të Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi” 2012 në Pontedera – Pisa, kjo përmbledhje me tregime rezulton në listën e librave më të shitur të shtëpisë botuese Kimerik.

U lexuan disa fragmente të librit, por u fol dhe për krijimtarinë e saj në përgjithësi.

Duke dëgjuar këngë me tekstet e Irma Kurtit, të pranishmit i drejtuan pyetje lidhur me bashkëpunimin me kompozitorë të ndryshëm, vështirësitë reale për të krijuar e për të marrë pjesë në veprimtaritë muzikore të dikurshme e deri në prezantimin e librave të saj në gjuhën italiane.

Veprimtarja Liljana Picari

Liljana Picari, presidente e shoqatës “Integrohemi së bashku”, Cervia, njihet prej vitesh për punën e palodhur në krijimin e shkollës shqipe apo dhe të grupeve të valleve e këngëve popullore.

Picari u ndal në kontributin e saj si vullnetare si dhe në pengesat që ndesh në tërheqjen e komunitetit shqiptar në këtë veprimtari: periudha e krizës ekonomike që ka influencuar dhe jetën e emigrantëve largon vëmendjen e interesin për t’u angazhuar në mënyrë vullnetare në jetën sociale.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/