KAVAJE, 10 mars 2013 – Mjetet e blinduara të policisë kanë larguar kryebashkiakun Elvis Rroshi nga Kavaja. Pas protestave të banorëve të qytetit, që kërkuan lirimin e tij Elvis Rroshi është larguar drejt Tiranës. Masa e marra nga policia duket se vjen si masë parandaluese për të evituar protesta dhe trazira të mundshme gjatë orëve të natës.
Rreth gjysëm ore më parë forcat speciale RENEA kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur para komisaraitit të policisë së Kavajës. Dhjetëra protestues janë mbledhur përreth 1 orë e gjysëm para komisariatit të Kavajës dhe kanë kërkuar lirimin e kryebashkiakut Elvis Rroshi.
Protesta
Shoqërimi për në komisariatin e policisë të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, është pritur me reagime të ashpra nga ana e anëtarësisë socialiste në këtë qytet.
Dhjetëra qytetarë kavajas janë mbledhur prej mëse një ore jashtë komisariatit të policisë dhe janë duke protestuar në këto momente për lirimin e Rroshit.
Korrespondenti i “Dyrrah” në Kavajë njofton se situata mund të tensionohet edhe më tej, pasi qytetarët po kërkojnë me forcë lirimin e kryetarit të bashkisë. Gjatë protestës ka pasur edhe konfrontime fizike mes qytetarëve dhe forcave të rendit.
Kryebashkiaku Elvis Rroshi është shoqëruar nga efektivët e rendit pas denoncimit të bërë nga trajneri i Tiranës Nevil Dede, i cili denoncoi Rroshin për dhunë fizike ndaj tij dhe presion ndaj lojtarëve në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit të pjesës së parë. “Ju nuk do ta fitoni ndeshjen, se nuk dilni gjallë nga fusha”,- ishte kërcënimi i Roshit drejtuar lojtarëve dhe trajnerit Dede.
Deputeti Dashamir Peza: Të lirohet kryebashkiaku Rroshi
Në Kavajë ka mbërritur deputeti socialist Dashamir Peza, i cili gjatë një komunikimi me mediat u ka kërkuar autoriteteve policore lirimin e kryebashkiakut Elvis Rroshi. Sipas Pezës, autoritetet nuk kanë lejuar as atë dhe as avokatin e tij personal që të komunikojnë me Rroshin, i cili është shoqëruar prej mëse një ore në komisariatin e policisë. Sipas Pezës, “ndalimi i Rroshit është i padrejtë dhe asnjë nuk do të lëvizë prej këtu derisa policia ta lirojë atë”. Në të njëjtën kohë Peza nënvizoi se situata mund të përkeqësohet, nëse autoritetet nuk tregohen bashkëpunuese.
(VIJON)
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





