TIRANË, 10 mars 2013 – Kriza ekonomike ka rritur jo vetëm varfërinë në një pjesë të madhe të vendit, por ka ulur ndjeshëm cilësinë e të ushqyerit.

Studimi më i fundit i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), i cili u shtri në 6 qytete, në Tiranën urbane, në Kukës, Has, Tropojë, Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe ka treguar se nga viti 2008 e deri me tani çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritje, citon TCH.

Pjesa me e madhe e të ardhurave familjare pra rreth 70 -75 për qind shkojnë për blerjen e artikujve ushqimorë, një pjesë mirë e të cilëve janë zëvendësuar.

Të intervistuarit pohojnë se në menynë e tyre javore, mishi i viçit është zëvendësuar me atë të pulës, frutat, perimet dhe ëmbëlsirat janë hequr nga lista e ushqimeve që ata mund të përballojnë me te ardhurat e tyre.

Të vetmit artikuj që ata vijojnë të blejnë pavarësisht çmimit janë vaji për gatim, sheqeri, buka, qumështi, patatja dhe fasulja.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve që jetojnë në zonat rurale të kryeqytetit, si dhe në veri të vendit, ushqehen me sasi më të vogla ushqimesh dhe nuk kanë mundësi të blejnë produktet e rëndësishme për fëmijët e tyre dhe për vete.

Një problem mjaft i madh mbetet edhe energjia elektrike, e cila është shumë e shtrenjtë për t’u përballuar nga të ardhurat familjare që ata kanë.

Pjesa më e madhe ngrohen me dru dhe gatuajnë me gaz.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/