LIBRAZHD, 10 mars 2013- Mbrëmjen e djeshme tre vagonë të trenit të mallrave të linjës, Prrenjas- Elbasan- Durrës kanë dalë nga shinat duke shënuar kështu një tjetër aksident në këtë linjë hekurudhore. 

Sipas burimeve zyrtare, aksidenti ndodhi në vendin e quajtur "Kthesat e Dragostunjës", në Rajonin Hekurudhor të Elbasanit jo më larg se 5 km larg stacionit të Librazhdit. 

Sipas informacioneve paraprake, tre vagonë të ngarkuar me mineral hekur nikeli janë përmbysur pjesërisht duke paralizuar përkohësisht qarkullimin e trenave të mallrave në këtë linjë. 

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave konfirmuan se duke filluar nga dita e sotme, do të punohet për rikthimin e normalitetit në këtë segment hekurudhor, ku aksidenti më i fundit dyshohet se është shkaktuar për shkak të gjendjes tejet të amortizuar të linjës e cila prej kohësh nuk lejohet të përdoret më nga trenat e pasagjerëve.