BULQIZE, 09 mars 2013 – Pesë djem nga Fushë-Bulqiza janë zbuluar për veprimtarinë e tyre kriminale, vetëm pas një aksidenti të shkaktuar nga shpejtësia dhe nga lagështira në rrugë. Policia njoftoi se të rinjtë ishin një grup i strukturuar kohë më parë, të cilët merreshin me shpërndarjen e lëndës narkotike në qytetin e Bulqizës, por deri ditën e premte kur u bë dhe aksidenti ata nuk dyshoheshin për këtë gjë.

Në bagazhin e makinës, pesë të rinjve iu gjet një sasi droge prej 500 gram mariuanë e ndarë në porcione gati për shitje. Droga ishte futur në qese farmacie.

Policia bëri me dije se janë vënë në pranga shtetasit Edmond Duriçi, 25 vjeç, Roland Meta, 24 vjeç, shtetasi me inicialet A. D., 16 vjeç, Sajmir Duriçi 22 vjeç dhe Florjan Çupi. Policia tha se arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.