TIRANE, 09 mars 2013 – Oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj një shtetasi italian, i cili ka paraqitur në një bankë të nivelit të dytë një çek me vlerë 500 mijë euro, që dyshohet të jetë i falsifikuar.

Burime nga Policia thanë se shtetasi Arturo Locoro, 62 vjeç, lindur në Romë dhe banues në Bolonja të Italisë, është denoncuar nga filiali i një prej bankave të nivelit të dytë në kryeqytet për mashtrim dhe falsifikim.

Kallëzimi është bërë në zyrën e Antikrimit Ekonomik nga përfaqësuesit të bankës, oficerit kundër mashtrimeve, Gazmir B. Sipas tij, shtetasi italian ka paraqitur çekun me një shumë të konsiderueshme, që mund të jetë i falsifikuar.

Por për shkak të vlerës së madhe të parave, çeku është mbajtur për ekzaminim, duke mos i dhënë mundësinë shtetasit të huaj që të merrte paratë që kërkonte.