Deputetja e Partisë Socialiste, kandidate për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit tha për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania se mandati i tretë për Partinë Socialiste, vlerën më ë madhe e ka për Durrësin dhe qytete që u dëmtuan nga tërmeti, duke qenë se shumë projkete të rindërtimit që u ndërmorën nga qeveria janë në zhvillim.
Sipas znj. Spahiu, me gjithë pakënaqësitë që mund të ketë ende nga qytetarë të ndryshëm, nga ana profesionale është bërë një punë e jashtëzakonshme lidhur me vlerësimin e dëmeve për secilin e më tej procesin e rindërtimi, që siç tha është një proces i vështirë, që kërkon kohën e vet.
“Janë 10 shkolla të standardeve evropiane të ndërtuara, me investime bashkëkohore. Qytetarët durrsakë nuk ia harrojnë kurrë Edi Ramës angazhimin për t’i strehuar në kohë rekord një ditë pas tërmetit. Ajo që më shqetëson është se në mars të 2022 u kemi premtuar qytetarëve se do të jenë në shtëpi. Nëse e realizojmë këtë objektiv, kjo kërkon vullnetin e qytetarëve për t’i besuar PS më 25 prill”, tha znj. Spahiu.
E pyetur lidhur me akuzat e artikuluara nga opozita se me formularët e vlerësimit të dëmeve pas tërmetit po bëhet fushatë, znj. Spahiu e shpjegoi këtë me formulën e vlerësimit të dëmeve.
Sipas saj, se në disa raste pakënaqësia nga ana e qytetarëve mund të ketë ardhur për faktin se në momentin që u pa se dëmtimet në disa pallate ishin më të mëdha u vendos që vlerësimi të bëhej në mënyrë të unifikuar për të gjithë godinën.
“Nga kjo sigurisht mund të ketë ndodhur që dikush që ka pasur më shumë dëme të ketë përfituar më pak, ashtu siç mund të ketë përfituar më shumë dikush me më pak dëme. Qytetarët janë kërkues dhe bëjnë shumë mirë”, tha znj. Spahiu.