PRISHTINE, 28 shkurt 2013 – Vënia në skenë e shfaqjes më të re të Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Mbas zonjushës Julie”, nuk është realizuar. Pas premierës së shfaqjes nuk është bërë e mundur vazhdimësia e saj. Plot njerëz që kanë shkuar në sportelin e biletarisë së TKK-së janë kthyer mbrapsht, gjatë tërë ditës së mërkurë, shkruan sot “Koha Ditore”. Arsyetimi që u është dhënë atyre për anulimin e shfaqjes, e paraparë të jepej mbrëmjen e së mërkurës, ka qenë se aktori Astrit Kabashi ka thyer gishtat e dorës, gjatë shfaqjes së një nate më parë. Por ky arsyetim është dhënë pas orës 12:00. Ata që në biletari kanë shkuar para kësaj ore, nuk kanë pasur kurrfarë arsyesh.
Në anën tjetër, burime brenda Teatrit Kombëtar i kanë thënë gazetës se brenda ekipit të shfaqjes është shqyrtuar mundësia e ndërprerjes së vënies në skenë të pjesës në rast të vonesës së honorarëve. Por menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe vetë aktori Kabashi mohojnë se kjo është arsyeja e anulimit, ndonëse pranojnë se pagesat nuk janë bërë ende. Teatri Kombëtar nuk ka paguar ende as ekipin e shfaqjes “Përplasjet” me regji të Ekrem Kryeziut, që ka qenë premiera e parë për këtë vit në TKK.
“Mbas zonjushës Julie” është premiera e dytë e TKK-së për këtë vit. Premiera e shfaqjes me tekst të Patrick Marber, e realizuar nën regji të Kushtrim Koliqit, është dhënë premierë të hënën. Ajo është pritur mirë nga publiku dhe nga kritika. Veç Astrit Kabashit, aty luajnë edhe aktoret Gresa Pallaska dhe Xhejlane Godanci. Rrëfimi i shfaqjes vihet në Anglinë e pasluftës së Dytë Botërore, e në të përplasen skenat “e nxehta” me ato të trishta dhe komike, të cilave u bashkohen edhe tingujt e pianos që interpretohen “live” në skenë, nga pianistja Jeta Dita. “Mbas zonjushës Julie” jep një maksimë të qartë: në luftën midis klasave paraja rrëmben pushtetin.