Skandali në foto: Prishtinë, rruga me gabime gjuhësore “Eçrem Qabej” pranë Institutit Albanologjik dhe Fakultetit të Gjuhësisë. (Foto: Driton Bublaku, “Zëri”)

PRISHTINË, 28 shkurt 2013 – Moszbatimi i rregullave më të thjeshta të gjuhës çon deri dhe në shformime të shëmtuara si në rastin e tabelës “së rrugës në emër të bardit të gjuhësisë sonë, Eqrem Çabejt”, shkruan e përditshmja “Zëri” e Prishtinës e 28 shkurtit 2013. “E dini si është shkruar? Si të ishte bërë qëllimisht mbrapsht. “Eçrem Qabej” është tabela që, ndoshta për rastësi, shihet mu pranë Institutit Albanologjik dhe Fakultetit të Gjuhësisë”, shkruan “Zëri.

Sipas të përditshmes “për këso gabimesh zyrtarët komunalë paturpësisht e pranojnë se kanë dijeni, por “nuk e bënë shumë të madhe” dhe fajin ia hedhin kompanisë “Malësia” nga Istogu, e kontraktuar nga viti i kaluar, dhe që për këtë punë ka marrë 30.500 euro”.

“Zëri” citon pronarin e kompanisë “Malësia”, Zef Malësia, “që s’e pranon fajin. Ai thotë se gabimet, megjithatë, do të përmirësohen sapo të urdhërojë komuna. Kurse Shemsi Veseli, nga partia opozitare PDK në KK të Prishtinës, ka thënë se punët bëhen shkel e shko dhe se nuk ka ndonjë ekip profesional. Edhe Sadri Ramabaja, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka reaguar ashpër.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/