GJERMANI, 24 shkurt 2013 – Sportistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi është vlerësuar me medaljen e artë, në kategorinë e femrave nën 52 kilogramë në xhudo, në garat “Grand Prix”, që po zhvillohen në Duseldorf, Gjermani.
20-vjeçarja ka pasur një paraqitje superiore që në fillim dhe ka skualifikuar kundërshtaren e saj, Andrea Chitu të Rumanisë. Në gjysmëfinale, xhudistja pejane mposhti koreano-jugoren Mi Ri Kim.
Medalja e bronztë është fituar nga Mareen Kraeh e Gjermanisë dhe Nodoka Tanimoto e Japonisë.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, xhudistja Kelmendi u shpall kampione e Evropës për moshën U-23 në Evropianin që u zhvillua në Çeki, ku garoi nën siglën e flamurit të Kosovës.
Sakaq në muajin tetor, po të vitit të kaluar, Kelmendi fitoi medaljen e artë në Botërorin e zhvilluar në Stamboll.