Los Angeles, 24 shkurt 2013- Industria e filmit po kalon këto javë periudhën kulmore të vitit. Të dielën e kaluar u shpallën çmimet BAFTA, që ndahen nga Akademia Britanike e Filmit, ndërsa sot më 24 shkurt zhvillohet në Hollivud ceremonia e çmimeve Oscar. Përveç aktorëve dhe regjisorëve, një armatë e tërë artistësh dhe krijuesish presin këtë moment kulmor, ndër të cilët edhe kostumografët që ndihmojnë për të krijuar botën magjepsëse të filmit. Ju njohim në vazhdim me një ndër kompanitë më me zë në botën e kostumografisë: Jeremy Angel, menaxher i kompanisë "Angels the Costumiers", ndjen në këto javë energjinë elektrizuese të ceremonive.

Ai ka të drejtë të krenohet: kompanisë së tij, të themeluar dhe drejtuar nga familja Angel, iu besua krijimi i kostumeve për katër prej pesë filmave që konkurrojnë për Oscar, në kategorinë e kostumografisë më të mirë. Kompania "Angel" krijoi kostumet e filmave "Anna Karenina" dhe "Great Expectations", si dhe ofroi kostume origjinale për filmat "Lincoln" dhe "Mirror Mirror". "Është nder i madh të shkosh në kinema dhe të ulesh e të shohësh një film për të cilin ke krijuar kostumet. Fakti që katër nga filmat konkurrues për kostumografinë më të mirë janë krijuar prej nesh, dëshmon cilësinë e punës dhe krijimtarisë sonë.

Deri tani kompania jonë ka fituar 33 çmime Oscar dhe lista po rritet". Firma "Angels the Costumiers" u themelua në vitin 1840 dhe që nga ajo periudhë ka ofruar kostume për realizime skenike dhe më pas televizive e kinematografike. "Në repartet tona puna nuk pushon kurrë. Mund të ketë periudha kur punojmë për një realizim të vetëm televiziv, por ka raste kur punojmë paralelisht për 4, 5 apo edhe gjashtë shfaqje të ndryshme. Në raste të tilla na duhen sa më shumë njerëz të specializuar për këtë punë dhe nuk është gjithnjë e lehtë të gjenden". Zoti Angel shpjegon se kompania përmbush nevoja të ndryshme për filma apo shfaqje specifike.

Për shembull, për filmin "Great Expectations", kjo kompani realizoi kostumografinë, si për personazhet kryesore, ashtu edhe për aktorët figurantë. Por në filma të tjerë, bashkëpunimi me realizuesit e filmit nuk nënkupton dizenjon dhe krijimin e kostumeve, por thjesht përdorimin e një kostumi nga fondi arkivor i kompanisë, si në rastin e filmit 'Lincoln': "Ky kostum u përdor për filmin 'Lincoln' që konkurron për çmim Oscar. Është një ndër fustanet më të vjetra që kemi në ndërtesë dhe e ofruam për filmin". Megjithatë, kostumografia për "Lincoln" nuk fitoi në ceremoninë e çmimeve BAFTA, por një tjetër konkurrent, "Anna Karenina" u zgjodh në këtë kategori, për kostumet e realizuara po nga firma "Angel the Costumiers". Kjo firmë me emër në industrinë kinematografike ka realizuar kostumografinë për filma të njohur si "Shakespeare in Love" dhe "Star Wars" dhe shpreson që me ceremonitë e sivjetshme për Oscar të shtojë në arkivën e vet edhe një statujë të re të artë.

Tre filma luftojnë për “Oscar” në kategorinë kryesore

Nuk ka asnjë media amerikane e angleze që sektorin e tyre të filmit nuk e ka stërmbushur me parashikime për fituesit e çmimeve “Oscar” që do të ndahen në orët e para të së hënës sipas orës lokale. Por sivjet parashikimet janë kundërthënëse krahasuar me ato të vitit të kaluar kur kritikët ishin treguar të saktë për filmin pa zë “The Artist”. Kësisoj për “Oscar 2013” kritikët nuk kanë mundur të përcaktohen me përqindje të lartë për vetëm një film. Megjithatë filmi i Ben Affleck “Argo”, ai i Kathryn Bigelow “Zero Dark Thirty” dhe ai i Steven Spielberg “Lincoln” janë përmendur si më favoritët për të marrë “Oscar” në kategorinë kryesore.

Megjithatë filmi që flet për dramën iraniane të vitit 1980 kur janë kidnapuar gjashtë diplomatë amerikanë ka marrë përkrahjen më të madhe nga disa ngjarje të fuqishme kinematografike në botë. Nëse merren parasysh çmimet që filmat e nominuar për “Oscar” i kanë dhënë “Los Angeles film Critics Association”, “Golden Globe”, “American Cine Editors”, “New York Film Critics Cirsce”, “Writers, Proucders, Screen Actors and Director Guild of Amerika” dhe tetë organizatave të tjera që në përbërjen e tyre kanë kritikët më të rëndësishëm të kinematografisë botërore, del që filmi “Argo” prin me përqindjen më të madhe për mundësinë e marrjes së çmimit kryesor.

Pas tij vijnë filmat si “Zero Dark Thirty” e “Lincoln” që ka marrë 12 nominime gjithsej. Megjithatë regjisori i filmit që flet për jetën e presidentit amerikan Abraham Lincoln, Steven Spielberg prin me më së shumti pikë nga kritikët si favorit për të marrë “Oscarin” për regjisorin më të mirë. Ang Lee regjisor i filmit “Life of Pi”, David O. Russell për “Silver Linigs Playbook” i rrinë afër listës së favoritëve në këtë kategori. “Ne kemi një përballje të jashtëzakonshme këtë vit. Parashikimet e të gjithëve mund të dalin thjesht paragjykime kur të dielën do të ndahen çmimet. Megjithatë favoritët gjithmonë ekzistojnë”, thuhet në një deklaratë të “Los Angeles film Critics Association”.