VLORE, 23 shkurt 2013- Ish-portieri i viteve të arta të skuadrës së Flamurtarit dhe ish-trajneri i kësaj skuadre, Luan Birçaj, është arrestuar mbrëmjen e së enjtes, pasi akuzohet për “Korrupsion pasiv” dhe për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga po për të njëjtat akuza, edhe 50-vjeçari Ilirjan Mezinaj. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bëjnë me dije se vënia në pranga e dy sekserëve është bërë pas denoncimit të një personi me inicialet M.A., i cili ka deklaruar se në muajin qershor të vitit që shkoi i ka dhënë ish-futbollistit të mirënjohur dhe Mezinajt një shumë prej 3 mijë eurosh, në këmbim të gjetjes së një vendi pune për mësuese, vajzës së tij. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se 49-vjeçari Birçaj dhe Mezinaj, pasi kanë marrë shumën e eurove, nuk kanë arritur dot që ta punësojnë vajzën me kontratë definitive, por vetëm me kontratë të pjesshme. Kjo nuk i ka pëlqyer denoncuesit, i cili u ka kërkuar dy sekserëve që t’i kthenin shumën e eurove që iu kishte dhënë.

E ndërsa nuk ka marrë paratë, M.A. ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Vlorës dhe ka bërë denoncim. Menjëherë efektivat blu kanë nisur hetimet, dhe pak ditë pas kallëzimit ka arrestuar dy autorët e ngjarjes. Sipas hetuesve të çështjes, hetimet do të vijojnë edhe brenda institucionit të Drejtorisë Arsimore Rajonale të Vlorës, për të nxjerrë personat që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje, ndaj pritet që mund të ketë dhe arrestime të tjera. Ndërkaq, burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Vlorës dje deklaruan se vajza për të cilën bëhet fjalë, pas mbarimit të shkollës është emëruar në punë si mësuese, por me kontratë të pjesshme. Sipas këtyre burimeve, në qershor të vitit që shkoi, vajzës i ka mbaruar kontrata. Ndaj babai i saj i ka kërkuar ish-futbollistit Luan Birçaj dhe Ilirjan Mezinajt që të ndërhyjnë për të siguruar kontratë definitive për vajzën e tij, dhe kjo kundrejt pagesës prej 3 mijë eurosh.

Por në fillim të vitit shkollor, vajzës i është komunikuar nga DAR që të vazhdonte punë me kontratë të pjesshme. I pyetur në lidhje me këtë çështje, kreu aktual i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Vlorë, Konstandin Taço, i cili ka qenë më parë në një tjetër pozicion në DAR, pohoi se për vajzën në fjalë ka pasur një kontratë me kohë të pjesshme, të cilën ajo nuk e ka konsumuar me pretendimin se nuk ka qenë në Shqipëri, dhe për sa u përket personave të arrestuar, nuk ka qenë në dijeni të ndonjë afere korruptive.