DURRES, 21 shkurt 2013– Teuta po vijon përgatitjet intensive në kuadër të ndeshjes së fundjavës ndaj Tiranës. Durrsakët janë optimistë se do të kthehen nga kryeqyteti me një rezultat pozitiv. Njëri prej tyre, mesfushori Ansi Nika, deklaron se Teuta ka pontecialin e nevojshëm për të mposhtur Tiranën.

“Po punonmë intensivisht në mënyrë që të jemi gati për të shtunën. Tirana është një skuadër mjaft e fortë dhe shumë e vështirë për t’u mundur, prandaj duhet të bëjmë një paraqitje dinjitoze përballë tyre. Tirana vjen e motivuar në këtë përballje, pasi në fundjavën e shkuar humbi në Peqin. Nga ana tjetër edhe ne jemi mjaft të motivuar, pasi kërkojmë të vijojmë me rezultatet pozitive të regjistruara ndeshjet e fundit në kampionat. Skuadra ndaj Tiranës do të përpiqet të dalë në lojën e saj dhe të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e paraqitura. Personalisht e parashikoj një ndeshje shumë të vështirë për të dyja skuadrat, pasi si Tirana ashtu dhe Teuta kanë shanse të barabarta në këtë sfidë. Në lojë janë të treja rezultatet, prandaj le të përpiqemi të marrim më të mirin”,- përfundoi shkodrani Ansi Nika.

Lojtari luan sezonin e tij të dytë në radhët e bregdetarëve. Që nga koha që ka shkelur në Durrës fitoi menjëherë zemrat e të gjithë tifozerisë durrsake, por edhe të drejtuesve të klubit . Nika është kthyer në një nga pikat më të forta tek skuadra e Teutës dhe gëzon besimin e teknikut Gugash Magani.

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/