DURRES, 20 shkurt 2013– Teuta është mundur sërish nga Laçi, duke mos e thyer edhe këtë radhë tersin në Kupë. Miqtë dominuan në Niko Dovana, ndërsa fituan me rezultatin 1 me 2. Serinë e golave e ka hapur Vucaj, i cili në minutën e ’25 arriti të shënonte për miqtë, ndërsa vetëm 8 minuta më vonë laçianët dyfishuan me Nimanin.
Ndërkohë për Teutën shënoi Mancaku në limitet e pjesës së parë të ndeshjes. Duke qenë se durrsakët nuk kishin shpresa në Kupë, kanë vendosur të luajnë mjaft të rezervuar, pasi në fundjavë i pret super përballja me Tiranën dhe kështu nuk kanë shpenzuar shumë energji. Nga ana tjetër laçianët janë ende në lojë dhe pretendojnë të presin një biletë për më tej, ndaj kishin ardhur me ide të qarta për të marrë më të mirën nga kjo sfidë.
Kurbinasit morën një fitore më të lehtë se sa e kishin parashikuar, kjo për shkak edhe të mungesave të shumta në radhët e Teutës. Duke filluar që nga Xhafaj, Sakaj, Jakupi, Hyshmeri, Nika, Muriqi e Pajaziti, janë lënë pushim nga trajneri, për të fituar energji për transfertën e kryeqytetit. Laçianët përfituan nga mungesat e shumta në radhët e kundërshtarit dhe e shfrytëzuan këtë fakt në maksimum.
Miqtë zhvilluan një lojë të thjeshtë dhe pa gabime dhe arritën të merrnin një fitore të merituar dhe shumë të rëndësishme. Në fund të ndeshjes tekniku durrsak dha shpjegime mbi humbjen dhe paraqitjen e skuadrës së tij.
Në një prononcim për Angjencinë e lajmeve “Dyrrah” Magani pohoi: “Vëmendja jonë është përqëndruar tek ndeshja e radhës, pasi kjo ndeshje për ne nuk kishte interes. Duke qenë se nuk kishim shpresë për të vijuar më tej, vendosa të ruaja një pjesë të mirë të lojtarëve për ndeshjen me Tiranën. Sot skuadra luajti mirë, por nuk u tregua shumë e vëmendshme në aspektin mbrojtës. Gjithsesi, kjo humbje do të shlyhet me fitoren ndaj Tiranës”.
Ndërsa tekniku i Laçit, Stavri Nica, ka vlerësuar në maksimum lojtarët e tij për fitoren e arritur në transfertë.
“Arritëm një fitore mjaft të rëndësishme dhe kemi ende shpresa për të vijuar më tej në këtë kompeticion. Skuadra luajti mirë dhe u tregua mjaft e kujdesshme si në aspektin sulmues, ashtu edhe në atë mbrojtës. Morëm një fitore mjaft të rëndësishme, kjo dhe si pasojë e neglizhencës së kundërshtarit. Teuta ka një ndeshje shumë të vështirë ndaj Tiranës në fundjavë dhe duke qenë se nga Kupa është eleminuar vendosi të luajë me rezerva”,- deklaroi Nica.





